Qyteti i së shkuarës dhe së tashmes tek romani i Saimir Muzhakës

Gazetari Saimir Muzhaka sjell përmes rreshtave të një libri “tërmetin” e ditëve të sotme, në periferinë e Shqipërisë. Qyteti legjendar i Beratit, i cili mbart histori dhe pika që na befasojnë, këtë herë shfaqet në një pikëvështrim tjetër.

Romani nis me një prolog, me tërmetin e vitit 1851 që në vetvete është një rilindje e dhimbshme e së shkuarës. Por rreshtat e këtij romani jo vetëm që ringjallin një tërmet të së shkuarës, por nxjerrin në pah një tërmet tjetër, atë të braktisjes së qytetit. Përpos legjendës, autori na fut në brendësi të qytetit të sotëm, ku ndihet pasiguria dhe vdekja duke nxjerrë në pah një realitet therës.

Ëndrrat e të rinjve nuk lidhen më me këtë qytet dhe kjo e shton akoma më shumë dramacitetin. Personazhi kryesor, Geraldi, pas studimeve në Tiranë kthehet në vendlindje dhe ashtu pa e kuptuar e gjen veten në strofkullën e problemeve që ky qytet mbart.

Aty është përhapur një frikë e madhe dhe i ka bërë qytetarët t’i mbajnë sytë nga qielli. Pastaj është pikërisht vdekja e tre të rinjve që trazon gjithë vendasit. Geraldi si një djalë i shkolluar u bë pjesë e një grupi hetimor, ku do të intervistonte familjet e të vdekurve për të zbardhur këto vdekje.

Por çfarë paralajmërojnë këto vdekje? A ka një arsyetim shkencor vdekja apo shkenca nuk e shpjegon dot? Me një rrëfim të thjeshtë dhe pa komplikime, shpërfaqet realiteti i drejtpërdrejtë. Kemi të rinj që gjithmonë duan lëvizje, ndryshim për një jetë më të mirë, por nga ana tjetër nëna me zemra të lënduara dhe që mundohen të japin mësime për jetën.

Pra del në pah marrëdhënia e prindërve me fëmijët dhe padiskutim edhe konflikti i brezave ku kontrastohen ëndrrat e të rinjve dhe dyshimet e pafundme të të moshuarve. Ajo që e mban lidhur lexuesin janë enigmat dhe misteret që godasin vendasit. Në këtë rrëfim nxirret në pah përditshëria.

Pra është një qytet i vogël ku ka shumë fjalë, ku nuk mund të jetosh i qetë, ku thashethemet shkojnë lart e poshtë. Njerëz që ikin nga kjo jetë dhe nga ana tjetër të rinj që dashurohen.

Pra natyrshëm përballemi me një realitet paradoksal, me përplasje të jetës dhe vdekjes. Por vallë a flitet vetëm për vdekje konkrete apo edhe për një vdekje tjetër, ndoshta jo aq të natyrshme, atë të një qyteti të tërë?

Arsyeja pse ky roman të ngjall një emocion të fortë është sepse studiohet njeriu konkret, në një realitet konkret, por i ndjekur fort nga mistere ekzistenciale. Gjithashtu ajo që na mbërthen është bota e këtyre personazheve duke na goditur dhe duke na përcjellë ndjesi të forta që do i mbajmë gjatë në mendje.

Gazeta-Shqip.com

Shpërndaje tek miqtë