Ky është pavioni shqiptar në Ekspozitën e famshme të Adriatikut të organizuar në Vjenë nga shteti Austro-Hungarez në Maj-Tetor 1913.
Austria kishte specialistë me njohuri të mira etnografike për shqiptarët, siç e tregon edhe ky pavion i vogël por domethënës.
Në fakt, Austria ishte mbështetësja kryesore e shtetit të ri shqiptar që po krijohej mes shumë vështirësish, pikërisht në kohën kur qëndronte e hapur kjo ekspozitë.
Diplomatët austriakë nën drejtimin e Kontit Leopold von Berchtold, përveçse punonin aktivisht për qetësimin e grindjeve të brendshme në Shqipëri, u duhej të luftonin edhe me Rusinë, e cila donte një shtet shqiptar të gjymtuar, në favor të klientes së saj, Serbisë.
Ekspozita “Adria Ausstellung 1913” tërhoqi rreth 2 milion vizitorë, edhe pse gjysma e të 155 ditëve të saj ishin me shi.