Investiguesit testuan hotelet për të parë nëse ndërroheshin çarçafët gjatë pandemisë – të gjithë hotelet dështuan

Ajo që mësuam nga pandemia e Covid-19 ishte rëndësia e pastërtisë dhe higjenës. Dhe sidomos hotelet duhet ti zbatojnë rigorozisht masat mbrojtëse sidomos pas heqjes së karantinës, pasi klientët u besojnë këtyre bizneseve, jetën e tyre.

Për të parë se sa zbatoheshin masat mbrojtëse dhe kushtet e higjenës, një ekip i programit televiziv “Inside Edition” vuri në test disa hotele luksoze në qytetin e New York. Pasi prenotuan dhoma në hotele të ndryshme, me anë të disa sprajeve ata lanë gjurmën e logos së programit “Inside Edition” mbi krevat, çarçafë, jastëkë apo peshqirë.

Këto gjurmë ishin të padukshme për syrin dhe mund të dalloheshin vetëm përmes llampave ultraviolet, por këto njolla hiqeshin fare lehtë nëse mbulesat laheshin me ujë. Gjurmë identifikuese u lanë edhe mbi sipërfaqet ku prekte dora e njeriut, si tavolinë, telekomandë apo termostati i kondicionerit.

Të nesërmen duke përdorur emra të tjerë, ekipi prenotoi të njëjtat dhoma dhe duke përdorur llampat UV ata zbuluan se çarçafët, këllëfët e jastikëve nuk ishin ndërruar. Edhe tavolinat, telekomanda apo termostati i kondicionerit ishin ende të papastruara si një ditë më parë.

Kjo situatë është e papranueshmë edhe sikur të ndodhte vite më parë dhe jo më në 2020 kur pandemia e Covid-19 ka dhënë prova se me virusin nuk bëhet shaka.

Shpërndaje tek miqtë