Site icon Unë shprehem, dmth ekzistoj

Historia e një kandidati të pasuksesshëm për qiramarrës

Është një kohë tepër e vështirë për të gjetur apartament me qira në Tiranë nëse je mashkull por jo në një “marrëdhënie serioze” në çift. Përveç atyre që deklarojnë se e japin vetëm për vajza (dykuptimësi e paqëllimshme) dhe që përbëjnë gjysmën e njoftimeve, kur i telefonon pjesës tjetër, biseda është pak a shumë si më poshtë

Unë (në vijim si “Mashkulli single në kërkim apartamenti”): Përshëndetje isha i interesuar për apartamentin që keni nxjerrë për qira…

Qiradhënësi: Po, i lirë është. Ju jeni familjar? (nga zëri dallohet që nuk jam vajzë)

Mashkulli single në kërkim apartamenti: Jo, nuk e kam gjetur akoma fatin. (si me humor por edhe emeton një farë prirjeje konservatore)

Qiradhënësi (tashmë si “Qiradhënës vetëm për vajza, familjarë apo çifte serioze”): Por jeni çift?

Mashkulli single në kërkim apartamenti: Dëgjo, jam djalë serioz, nga Tirana, intelektual, me punë të respektueshme.

Qiradhënësi vetëm për vajza, familjarë apo çifte serioze: Si, nuk jeni çift?!

Mashkulli single në kërkim apartamenti: Mjerisht jo. Kam qenë, por nuk jam më, por… hmm… ore po çfarë rëndësie ka?!

Qiradhënësi vetëm për vajza, familjarë apo çifte serioze: Ne e japim vetëm për njerëz seriozë.

Mashkulli single në kërkim apartamenti: Ju siguroj që jam shumë serioz. Domethënë, për punë të tilla se normalisht bëj edhe shaka.. me miqtë… ke parasysh… disa janë edhe vajza… por… (me vete: Ç.k. po them…)

Qiradhënësi vetëm për vajza, familjarë apo çifte serioze: Jo, më vjen keq. Ne jemi seriozë, komshinjtë janë familjarë.

Mashkulli single në kërkim apartamenti: Dëgjo zotëri, ndoshta një ditë edhe unë gjej dikë. Mos ma moho fatin.

Qiradhënësi vetëm për vajza, familjarë apo çifte serioze: Sa vjeç je ti?

Mashkulli single në kërkim apartamenti: Tridhjetë e kusur.

Qiradhënësi vetëm për vajza, familjarë apo çifte serioze mbyll telefonin.

– Ervin Qafmolla

Shpërndaje tek miqtë
Exit mobile version