Shumë vajza nëpërmjet postimeve të fotove që bëjnë e deklarojnë thuajse hapur se bëjnë apo duan të bëjnë jetën e një princeshe. Këtu s’ka asgjë për tu paragjykuar pasi të gjithë kanë të drejtë të ëndërrojnë jetën që duan. Tek e fundit është bukur të bësh jetë mbretërore sidomos ta konsiderosh veten “jom Princeshë, ka kush puno për mu”.
Por që të bëhesh princeshë, duhet të jesh vajzë e një mbreti apo mbretëreshe dhe jo vetëm “goca e babit tat dhe ylli i mamit të vet”. Megjithatë jo gjithmonë duhet të jesh i lindur nga gjaku blu sepse edhe Meghan Markle nuk kishte prejardhje mbretërore por ama e kapi “një cun britanik nga pallati i mretit”.
Le tu kthehemi princeshave shqiptare, të cilat me veshjet që ekspozojnë, ushqimet që Instagramojnë apo vendet që duan të vizitojnë do ta kishin falimentuar brenda muajit cdo princ Dubai.
Nga përrallat, cdo princeshë ka patur një fillim të vështirë, kemi parë një Borëbardhë që u kthye në shërbëtore vegane apo një Hirushe që lante e pastronte shtëpinë deri në momentin që është shfaqur një princ që ka ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve dhe gjithashtu edhe statusin e vajzës.
Asnjëra nga “princeshat” shqiptare që bëjnë (apo ëndërrojnë) jetë luksi nuk e ka patur këtë fillim të vështirë. Asnjëra prej tyre nuk di se si lahen rrobat, endët, si gatuhet apo të kapin fshesën por duke i hipur bishtit të fsheshës kanë fluturuar nga jeta e mërzitshme si të gjithë robt, direkt në prehrin e një princi të fiksuar pas metaleve, që nga makinat, bizhuteritë, pistoletat derisa përfundojnë tek metalet më pak të shndritshme si prangat dhe hekurat e burgut.
Këta “boba që të thyejnë kokën me lekë” shpesh nuk hezitojnë as tu thyejnë turinjtë princeshave të tyre sepse tek e fundit ata janë “princat” që kanë investuar financiarisht në zbukurimin plastik të turinjve, robave që veshin, ushqimeve që hanë, makinat që ngasin, lulet e Shna Valentinave e deri tek profilet e Instagramit që u bëhet verify me logo me ngjyrë si vetë gjaku blu.
Në rastet e divorcit dashuror me keta princa, asnjë nga princeshat shqiptare nuk trashëgon asgjë pasuria e “dashurisë qiellore” por rikthehen në jetëve të tyre, të tërhequra në mister, në pritje të princit të ardhshëm që si gjithmonë do të jetë “dashuria e parë dhe e fundit”.
Por kjo pritje aspak e ëmbël ka kosto jo të vogël sepse duhet ta mbash veten në treg, që do të thotë duhet të shfaqesh në televizione, në rrjetet sociale, në faqet e revistave me të njëjtin ritëm luksoz të jetës që bëje dikur. Madje duhet të shfaqesh në klubet apo ambientet ku shkojnë shpesh “princat” ku ata përvec të bardhës që mbushin hundët të kenë mundësi të shohin edhe BorëBardhën që përvec “fatkeqësisë” që është e bukur, por tashmë është edhe single.
Dhe kështu princeshat vijojnë jetën e tyre sipas sloganit fejsbukjan “Jom Princesh, ka kush punon për mu”.