Mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht POLITIKA

Gjatë një proteste të javëve të fundit para sallës së Kuvendit, disa imazhe treguan punonjës apo snajpera të policisë që vëzhgonin turmën nga ballkoni i njërës prej minareve të xhamisë së Namasgjasë.

Pa humbur kohë kjo “ngjarje e rëndë” u quajt si cënim flagrant i objekteve të kultit. Akuza e parë erdhi nga Forumi Mysliman (jo nga Komuniteti Mysliman) dhe sigurisht që u pasua e u trumbetua fuqishëm nga cdo ish-deputet demokrat dhe media “e pavarur” për të treguar se qeveria po shkel të drejtën e institucioneve fetare.

Kur erdhi për vizitë ish-presidenti amerikan Xhorxh W. Bush asnjë punonjës policie shqiptar nuk u lejua të mbante armë, cdo gjë e morën nën kontroll amerikanët madje përgjatë rrugës nga ku kaloi eskorta askush nuk duhet të dilte në dritare apo ballkon pasi rrezikonte të qëllohej nga snajperët e ushtrisë amerikane. A nuk ishte kjo cënim i të drejtës për të dalë në dritaren e shtëpisë tënde? Apo do thoni ju, nuk mund të krahasohet rëndësia e Bushit me protestat paqësore?!

Eshtë mëse normale që gjatë protestave apo organizimeve masive të merren masa parandaluese nga ana e policisë për të mbajtur në kontroll situatën në mbrojtje të rendit. Kjo ndodh kudo në botë në cdo shtet nga më i konsoliduari e deri tek ai më i humburi. Masat parandaluese në mbrojtje të rendit dhe qetësisë publike janë pjesë e pandarë e cdo organizimi në cdo vend të botës por aty ti je i survejuar nga qindra kamera, ndaj policia nuk ka nevojë të hipi majë minareve.

Por politika jonë sidomos ajo e opozitës di ta vërë ujët në zjarr për të siguruar përkrahje nga të mundet, duke kënduar ndonjë himn, duke djegur ndonjë gomë dhe po doli gjë edhe duke tentuar të mërzitë ndonjë mysliman për minaret “e dhunuara”. Ndërkohë të gjithë e dimë mirë se sa i respektojnë objektet fetare kjo opozitë mandatdjegur.

Posterat FTESE PER SYNETLLEK drejtuar deputetëve “tradhëtarë” a nuk ishin tallje e një rituali të fesë myslimane dhe asaj hebreje? Sigurisht që jo, sepse fjala “synetllëk” tek ftesat po përdorej për një qëllim “të noltë” si ai i talljes së deputetëve që dolën nga rreshti.

Po të shkruash me spraj boje mbi rrethimin metalik të xhamisë fjalët “Rama ik” të shoqëruara edhe nga një emoji penisi, a nuk quhet përdhosje e objekti të kultit? Sigurisht që jo sepse përdorimi i emoji-ve është në trendi më cool i kohës moderne. Madje në respekt të fesë myslimane, penisi është dizenjuar i rrethprerë, dmth i synetllifikuar.

Por është e kotë të kapemi pas cdo fjale e pas cdo njollë boje sepse tek e fundit politika kështu e ka për zanat, të përdorë cdo gjë që i intereson ashtu si i intereson. Sot mbrojnë atë po cënohet e nesër cënojnë atë që mbrohet. Sot i jepet dora atij që dje ja fute sa krahu dhe anasjelltas.

Pashko Vasa po të kishte jetuar në këto kohë do të kishte thënë : E mos shikoni kisha e xhamia, feja e shqiptarit asht politika”.

Shpërndaje tek miqtë