Site icon Unë shprehem, dmth ekzistoj

Dua të bëhem edhe unë si Dritan Dajti

Një i njohur, në një agjensi ku paguhen drita, gjoba… më njoftoi se kisha një gjobë 12.000 lekë të reja nga policia rrugore. U interesova dhe më thanë se ishte gjoba që kisha marrë tek “Qofte Tymi”, Rruga e Kavajës, në 3 Qershor. “Po e mbaj mend – i thashë personit që po më sqaronte. Ishte mëngjes, trafik, bori… dhe gjëja e fundit që çova ndërmend ishte të vija rripin e sigurimit. Polici më ndaloi, e më tha:
-Rripin se kë vënë.
-E drejtë “shef”, por ja trafik, s’ka rrezik. Njdesë…
-Ka rrezik s’ka rrezik, rregullorja është rregullore. Duhet të paraqitesh në komisariat. Në TV kërkoni zbatimin e ligjit ju, këtu se zbatoni.
-Ke të drejtë “shef”…

E kisha harruar edhe shefin, edhe gjobën, edhe rripin, derisa më erdhi mandata sot, 120 mijë lekë, kur i themi ne me të vjetrat. Kishte brënda edhe një kamatë vonesë, pasi vendimi i komisionit ishte marrë në 3 korrik dhe unë paguaja kamatë për këtë 1 muajshin kur gjoba nuk ishte vendosur ende.

-Por ka edhe një arsye tjetër – më thz personi që më sqaroi. Eshtë vepër e përsëritur, dhe kur përsëritet vepra, rritet gjoba.

-Ke tejkaluar shpejtësinë në 2016.

-Po e mbaj mend, në Vlorë- Fier. Në njërën anë të urës ishte shpejtësia 80 në anën tjetër 40. Tek tabela me 40 rrinte natë e ditë një patrullë policie që plotësonte numrin e gjobave që kishte caktuar shefi.

-Ke edhe një rrip tjetër në 2018

-Se mbaj mend, por derisa e thotë shteti, e kam.

E mbylla. Askujt si pëlqen kur e gjobisin, por rregullat janë rregulla. Falenderova personin që më sqaroi dhe iu ktheva punës.
Por duke shfletuar mediat, hasa në një shkrim: “Dritan Dajti drejt lirimit”.

What the fuck?- kur thonë anglezët

Gjykata e Elbasanit kishte bërë, së fundmi, bashkimin e dy dënimeve. Njëri 23 vjet për dy vrasje, tjetri 25 për 4 vjase, në një dënim të përbashkët 25 vjet. Pra 23 + 25 = 25. Meqë ¾ e dënimit i ka kryer, mund të kërkojë lirim para kohe për sjellje të mirë. Ca nene të Kodit Penal janë të pabazuara në shkencën e matematikës dhe gjykatësit këtu kanë marrë të gjithë notën 10. Por logjika është kjo. Sa më shumë vrasje të bësh, aq më pak dënohesh. Dënimi është si puna e çmimit të mallit me shumicë, e keni parasysh. Me shumicë bie.

-Hë- thashë tërë nervra, po mua pse ma shtuan gjobën për dy rripa?

Ndaj – dua të jem edhe unë si Dritan Dajti apo Emiliano Shullazi, qoftë dhe një ditë – mendova. Ti jap makinës pa rrip, pa frena, pa drita. Tu bie e ti bëj përshesh kush të më dalë përpara. Dhe kur të vijnë ata të rrugores, të më thonë:

-Hë “shefo”, u vrare? – “shefoja” jam unë tani, jo polici.

-Ata e kanë fajin, ata të dolën përpara ti s’kishe faj.

Të shtyp ca njerëz, apo edhe ti vras po nuk mu bindën, të vijnë ata të kriminales, e të thonë. “Shefo” nuk është faji jot, ata të dolën para makinës dhe të provokuan.

Ehhhh shteti. Ka dy lloje qelbësirash që punojnë në këtë shtetin tonë.

Njëri lloj janë ata, që atyre të fortëve dhe të pasurve u lëpijnë duart e çdo gjë tjetër, duke shkelur ligjin, rregullat, urdhërat, e çdo gjë tjetër. Pa pyetur, pa patur as frikë, as cipë e as sedër.
Ndërsa lloji tjetër janë ata, që atyre të drejtëve, urtëve dhe të varfërve, u vënë shkelmin në fyt, si atij të “ziut” Flyod, duke i tundur para syve ligjet, kodet, rregulloret, urdhërat, madje edhe ato që s’janë miratuar ende, por i ka qeveria në kokë.

Mentor Kikia

Shpërndaje tek miqtë
Exit mobile version