Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, për të përforcuar tek ne bindjen se, duke blerë dhurata për dikë, do të mbushnim hapësirën, deri dje boshe, të ndjenjave apo të pranisë sonë në lidhje me atë person.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, që, duke vrarë mendjen se nëse ia dërgova një mesazh urimi dikujt në whatsApp apo në ndonjë platformë tjetër, “shpëtova”, e hoqa qafe këtë mundim.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, për të kuptuar sesi ia bën “uni” ynë, në dukje aq i vogël, për të mbajtur tërë egoizmin e kësaj bote.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, për të kuptuar që në realitet, mungesa e kohës, angazhimet, jeta frenetike, qenkan vetëm një anë e asaj medaljeje, e cila ka të stampuar sipër: “jo për të gjitha gjërat nuk kam kohë apo nuk mundem, thjesht nuk dua, nuk ma ka ënda”.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, që krenaria jonë, në disa aspekte, të kujtohej se paraprakisht, të jesh krenar, jo gjithnjë e detyrimisht kjo duhet të përkojë me mospërfilljen ndaj tjetrit.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, që disa këneta mburrjeje e mendjemadhësie, të fillonin të shterronin, ose ndoshta thjesht të maskoheshin nën petkun e ngricave apo borës.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, që të bëheshim zemërgjerë në aspektin që të linim pak hapësirë, qoftë edhe për një herë të vetme për egoizmin e tjetrit, duke e kushtëzuar disi atë tonin.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, për të kuptuar se tek një i dashur yni, ndoshta më tepër se atë vetë, deri pak më parë, kemi dashur formën apo mënyrën sesi ai na do.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, që fqinjit t’i thoshim: nëse gjithnjë kam menduar me zili se bari i kopshtit tënd është më i gjelbër se ai i timit, sot ata më duken çuditërisht të së njëjtës nuancë, pa dallim. Kjo, në ditën e fundit të vitit të vjetër.

Nuk të garantoj sesi do të më duket me saktësi, duke filluar që nga dita e parë e vitit të ri.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, për të formuluar urime e formula urimesh nga ato më njerëzoret, paqësoret e fatsjellëset për gjithkënd, për të njohur e të panjohur.

Duhej të prisnim ardhjen e Vitit të Ri, për të krijuar bindjen se vetvetiu, në Vitin e Ri që po troket, çdo gjë do të ndryshojë nga ai i mëparshmi dhe, detyrimisht, pozitivisht.

Është njerëzore të urohet mbarësi, të paktën, e natyrshme për disa.

Kjo duhet uruar e dëshiruar për vete e për gjithkënd që duam – edhe për kë nuk e duam edhe aq fort fundja – por, është etike edhe që kjo të urohet gjithnjë e në mënyrë të pakushtëzuar, përgjatë gjithë vitit.

Është njerëzore edhe të gabohet gjithashtu.

Njerëzore, edhe të urohet fundja: “ Gabofsh sërish në Vitin e Ri!”, – përderisa ke jetuar në të kaluarin e do të jetosh edhe në të riun, siç shpresohet, e këto janë thjesht elementë bashkudhëtarë të jetës – rëndësi ka që të vijnë në shenjë eksplorimi, përvoje, përmirësimi, progresi.

Ndaj, le të presim “Të Riun” me optimizëm padyshim, njëkohësisht me objektivitet, koherencë, të moderojmë sjelljen e shtirur të këtyre pak ditëve, – kjo, kuptohet, jo nga ana e të gjithëve, por e një pjese të mirë kam frikë se po, të atyre të cilëve “nuk u shkojnë shumë për shtat” urimet sidomos – për të mundësuar faktin që dikush, kur të na dëgjojë tek komunikojmë me të këto ditë, këto orë, të thotë:

“Do të parapëlqeja që ngjarja e “Vitit të Ri” t’u kursente mundimin disave për të dalë jashtë vetvetes në ditët e fundit të vitit që po lemë.

Ama, nëse kjo ngjarje gëzimprurëse do të mundte t’i ndryshonte ata sadopak pozitivisht, kjo atëherë, mirë se të vinte”.

– Marenglen Tare

Shpërndaje tek miqtë