Kur nuk di shqip, më mirë mos shkruaj!

Ky rrjeti social facebook ka shumë të mira, por ka një të keqe të madhe që të identifikon lehtësisht nëse di apo jo shqip.

Qëllon të jesh zyrtar, student, mësues, gazetar dhe të mos dish të shkruash shqip. Ka edhe nga ata vip-a, që janë bërë të tillë me apo pa dashjen e tyre dhe mediat merren orë e minutë. Duke shkruar për ta çfarë bëjnë çdo minutë të ditës u nxjerrin në pah injorancën.

Kohë më parë, lexova një lajm, sipas të cilit një kompani e madhe gjermane nuk merrte në konsideratë vetëm CV e atij që kërkonte punë, por “hetonte” profilin në facebook. Shihte rrethin e tij shoqëror, postimet që bënte, çfarë dukurie e ngacmonte më tepër dhe sigurisht nëse ishte apo jo i dobishëm për t’u përfshirë në një ambient pune me shumë të punësuar. Më mbeti në mendje ky lajm, jo për taktikën e punëdhënësit, por për detajet shtesë të atij që do punësohej.

A nuk do ishte mirë që edhe tek ne, një mësues “të hetohej” në profilin e tij zyrtar, nëse shkruan apo jo shqip. Një zyrtar që do përpilojë shkresa zyrtare në institucionin ku është i punësuar, të dijë shqip. Tmerr i madh kur lexon në facebook idiotësi pafund. Ndaj, një këshillë miqësore e tërësisht modeste.

Mos e vrisni kohën kot. Nuk po them të hapni abetaren, se abetaret e sotme mund të jenë botime të këtyre mësuesve që i hanë, apo i shtojnë “ë” sipas qejfit, por lexoni veprat e shkrimtarëve shqiptarë të para viteve 1990. Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Nasi Lera e shumë të tjerë mund t’i rilexoni.

Nëse nuk u pëlqen përmbajtja mos u shqetësoni, bëni si të bëni, por ama do mësoni shqip. Shqip, ore njerëz shqip! Kjo vlen sidomos për ju të shkolluarit.

#ndjesë_nëse_u_kam_shqetësuar

P.S. Ky status mori shkas nga një “vip” që bëri një “sjarim” për publikun e gjerë, lidhur me jetën e saj.

– Zilie Feci

Shpërndaje tek miqtë