Kam dëgjuar shpesh të shigjetohet Sorosi si “fabrika” që prodhon modelet e politikanëve modernë. Zgjodha dy përfaqësues të kësaj shkolle Erion Veliajn dhe Endri Shabanin. Mund të kisha zgjedhur edhe Lulzim Bashën sepse edhe ai “prodhim” NGO është por po mjaftohem me dy më të rinj nga të cilët për hir të së vërtetës presim ndryshimin.
Politikanët e rinj model NGO kanë disa karakteristika të përbashkëta. Së pari ata nuk rriten natyrshëm në politikë. Nuk e njohin bazën por katapultohen në politikë nga lart me ndihmën e aktorëve të huaj influentë në politikë. Së paku Erion Veliaj hyri nga dritarja e Partisë Socialiste duke goditur fenomenet negative të PS-së për hir të së vërtetës dhe më pas nisi rugëtimin drejt kreut të saj. Të njëjtën rrugë duket se po ndjek dhe Endri Shabani por në dallim nga Veliaj godet sistemin që të con në problematika dhe jo thjesht problematikat.
Modeli NGO i politikanit është antikonformist me realitetin por konformist me liderin. Kush e kujton Erion Veliajn takimet e tij të MJAFT-it shoqëroheshin me himnin e Skorpionsave “Winds of Change”. Në fakt ndryshimi i madh ndoshta erdhi vetëm për Erion Veliajn…për shqiptarët jo. Tashmë ai duron dëshpërimisht kreun e socialistëve edhe të tallet me të madje nuk nguron të thotë që kam marrdhënie të mira me kreun e PS-së. Në fakt edhe Endri Shabanin e kam parë disi “servil” përballë Berishës i cili është personifikim i së keqes për këto vite tranzicion për sytë e shumicës së shqiptarëve. Ai dënon sistemin por jo Berishën. Ndoshta kjo është strategji për tu ngjitur. Shpresoj që “Nisma Thurje” të mos ketë fatin e G99-tës.
Modeli i ri i politikanit NGO shmang votuesin. Komunikimi me të bëhet përmes mesazheve mediatike. Kjo sigurisht ka anët pozitive dhe anët negative. Një komunikim i tillë nuk e vë nën presion politikanin dhe mund të kalkulojë mirë atë çka dëshiron të thotë por nga ana tjetër votuesi është i abandonuar dhe mund të mashtrohet. Padyshim që politikani i këtij modeli e ka më të lehtë për tu kamufluar. Votuesi nuk të njeh dhe ti mund ti thuash atij përmes mesazhit ato që ai do të dègjojë dhe jo ato që ti mendon. Në një marrdhënie “face to face” votuesi e ka më të lehtë të të kuptojë se kush je.
Pavarësisht kësaj edhe përmes mesazheve mund të lexohet teatraliteti dhe unë mendoj se ka diferenca mes tyre. Edhe mes politikanëve në foto mendoj se ka diferenca megjithëse janë nga e njëjta shkollë.
Ndërsa politikanët e shkollës së vjetër “stërmundoheshin” për ta “mbajtur mirë” me votuesin politikanët NGO e mbajnë mirë me ata që i promovojnë. E kam fjalën për partnerët në zyrat e të cilëve janë rritur dhe vazhdojnë të trokasin cdo ditë. Nuk mendoj se bëjnë keq për këtë sepse prej partnerëve vetëm të mira mund të presim por ndoshta dhe kontakti me votuesin është i nevojshëm. Një alternim i modelit të vjetër të politikanit me modelin NGO do të ishte më i pranueshëm. Sigurisht politikanët më parë duhet të garantojnë një sistem që s’të toleron të gabosh. Vetëm më pas mund të presim ndryshim. Kjo ndoshta është arsyeja pse vazhdoj të besoj tek politikanët e rinj. Vetëm me ndihmën e partnerëve mund të rregullojmë sistemin.