Site icon Unë shprehem, dmth ekzistoj

Trotuaret e zaptuara që bëjnë zap ligjin

Kjo është vetëm një prej shumë shitoreve në një nga rrugët pas Shkollës së Baletit, të cilat uzurpojnë vazhdimisht apo në mënyrë të përhershme, pronën publike.

Rasti në fjalë është mbresëlënës, sepse pasi e përvetësoi gjithë trotuarin, ky biznes së fundmi ka kapur edhe një pjesë të rrugës që të mos parkohen makina afër “pronës së vet”. Ka plot të tjerë që kanë zënë shumicën e trotuarit, apo që rregullisht lënë kuti e arka për të zënë ilegalisht parkimin që mos u bezdiset biznesi nga afërsia e makinave me tezgat që kanë zënë trotuarin.

Nja dy herë që më ka rënë të përballem, pasi i tentojnë me radhë dhe pa rezultat zgjidhjet klasike dekurajuese – me të mira, pastaj me kanosje, pastaj me fraza pa lidhje – në fund fare, vetëviktimizohen duke përmendur “bukën e fëmijëve”. Ky i fundit është bërë justifikimi i preferuar dhe pothuajse i automatizuar për çfarëdolloj paligjshmërie.

Uroj vetëm që këto realitete, përfshi bandën e parkimeve të Stadiumit Dinamo, të jenë raste të izoluara miopie të zinxhirit burokratik institucional, jo pjesë e ndonjë amnistie të heshtur ndaj shkeljeve të tilla, me qëllim zbutjen e humoreve të një pjese të popullsisë meqë ky paraqitet “vit me zhvillime delikate”.

Kryeqyteti ka nevojë për trajtim të barabartë të qytetarëve, duke mos lejuar të paligjshmit të grabisin sadopak nga publikja apo privatja, pavarësisht justifikimeve. Mbi të tillët dhe inspektorët që mbyllin sytë, forca e ligjit duhet të veprojë si purgativ. Tirana sot ka nevojë për më shumë ligj dhe rregull, jo më pak.

Ervin Qafmolla

Shpërndaje tek miqtë
Exit mobile version